KLSH: Shqipëria ka rreth 650 diga, por mungon mirëmbajtja dhe monitorimi
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se sistemi i sigurisë dhe monitorimit të digave në Shqipëri ka probleme serioze me mbikëqyrjen dhe investimet.
Sipas raportit të auditimit për periudhën 2021–2024, në vend ekzistojnë rreth 350 diga të mëdha dhe afro 300 diga të vogla. Megjithatë, institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të krijojnë një sistem të plotë monitorimi dhe kontrolli për të gjitha këto struktura. Auditimi tregon se vëmendja institucionale është përqendruar kryesisht tek digat e mëdha, ndërsa rreth 300 diga të vogla nuk monitorohen plotësisht, edhe pse ligji nuk i përjashton nga mbikëqyrja.
Diga jashtë funksionit dhe mungesë mirëmbajtjeje
Raporti evidenton se rreth 30 diga të mëdha dhe 90 diga të vogla janë jashtë funksionit. Në disa raste, mungesa e mirëmbajtjes dhe monitorimit sipas standardeve teknike ka çuar në përkeqësimin e gjendjes së tyre.
Problemet lidhen edhe me mosfunksionimin e plotë të strukturave përgjegjëse. Inspektorati Teknik i Digave, që duhet të kryejë inspektimet teknike, nuk ka qenë funksional për disa vite dhe vetëm në vitin 2024 janë parashikuar fondet e para për funksionimin e tij.
Rekomandimet e KLSH
Shumica e digave në Shqipëri janë ndërtuar në periudhën 1960–1990 dhe kanë rol të rëndësishëm për energjinë, furnizimin me ujë dhe mbrojtjen nga përmbytjet.
Për këtë arsye, KLSH rekomandon një vlerësim të plotë të gjendjes së të gjitha digave, forcimin e strukturave institucionale dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për garantimin e sigurisë së tyre.